Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se dy infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren janë ndaluar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe përvetësim të mjeteve financiare të arkëtuara nga pacientët.
Sipas Prokurorisë, hetimet kanë nisur në muajin qershor 2026, pas informacioneve të pranuara dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit. Gjatë veprimeve hetimore janë siguruar prova që krijojnë dyshimin se kryeinfermieri me inicialet Xh.B. dhe infermieri B.R., gjatë ndërrimeve të natës në periudha të ndryshme të viteve 2024 dhe 2025, kanë përvetësuar para të inkasuara nga pagesat e pacientëve për shërbime shëndetësore.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, Xh.B. dyshohet se ka përvetësuar 1,250 euro, ndërsa B.R. rreth 1,032 euro. Vlera e përgjithshme e mjeteve që dyshohet se janë përvetësuar arrin në 2,282 euro.
Pas intervistimit në prani të mbrojtësve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve për 48 orë.
Prokuroria ka njoftuar se brenda afateve ligjore do të vendosë nëse do të kërkojë masë sigurie ndaj tyre, ndërsa hetimet do të vazhdojnë. Sipas autoriteteve, nuk përjashtohet mundësia që hetimet të zgjerohen edhe për periudha të tjera kohore, në varësi të provave që do të sigurohen.




