Ushtarët e degës së përbashkët mjekësore të misionit të KFOR-it (JMED), në bashkëpunim me personelin e Komandës Rajonale-Lindje (RC-E), kanë zhvilluar një trajnim për evakuim mjekësor dhe familjarizim me helikopterët në Kampin Film City në Prishtinë dhe Kampin Bondsteel në Ferizaj.
Trajnimi mblodhi personel mjekësor shumëkombësh dhe ekuipazhe të aviacionit nga e gjithë zona e operimit të KFOR-it, me synimin për të rritur gatishmërinë dhe koordinimin në reagimin ndaj rasteve emergjente mjekësore.
Gjatë ushtrimit u realizuan procedura praktike për ngarkimin dhe shkarkimin e pacientëve nga helikopterë aktivë dhe joaktivë, si dhe u testuan procedurat e evakuimit ajror përmes ngritjes së pacientëve me vinç.
Sipas KFOR-it, trajnimi ka shërbyer për të përmirësuar njohuritë mbi sigurinë në aviacion, për të shkëmbyer përvoja mes ekipeve dhe për të forcuar bashkëpunimin profesional ndërmjet njësive të misionit.
Nga KFOR-i u theksua se aktivitete të tilla janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për ruajtjen e gatishmërisë mjekësore dhe rritjen e sigurisë, në mbështetje të një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Misioni i KFOR-it vazhdon të veprojë në përputhje me mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.




