Screenshot
Shoqata e Qumështoreve ka reaguar pas prezantimit të gjetjeve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duke kërkuar ndalimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në industrinë e përpunimit të qumështit në Kosovë.
Sipas shoqatës, rezultatet e publikuara nga AUV konfirmojnë shqetësimet e ngritura prej vitesh lidhur me përdorimin dhe mosdeklarimin e këtyre përbërësve në produktet e qumështit.
Ata kërkojnë hetim të plotë për produktet që dyshohet se përmbajnë vaj palme dhe qumësht pluhur, si dhe përgjegjësi ligjore për çdo shkelje të konstatuar.
Shoqata vlerëson kontrollet e AUV-it si një hap të rëndësishëm për rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e konsumatorëve, duke bërë thirrje që inspektimet të vazhdojnë deri në parandalimin e plotë të keqpërdorimeve.
Në reagim theksohet se siguria ushqimore duhet të jetë prioritet kombëtar, me qëllim mbrojtjen e fermerëve, konsumatorëve dhe forcimin e besimit në produktet e qumështit në Kosovë.




