Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve nuk i ka dhënë asnjë partie shumicën për të qeverisur e vetme, duke theksuar se krijimi i institucioneve duhet të bazohet në bashkëvendimmarrje mes pozitës dhe opozitës.
Ai tha se opozita nuk duhet të ftohet vetëm për të marrë pjesë në qeveri, por të ketë rol të barabartë në vendimmarrje. Sipas tij, njëri nga postet kryesore shtetërore duhet t’i takojë opozitës, në bazë të një marrëveshjeje politike.
Haradinaj kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se synon të mbajë të gjithë pushtetin vendimmarrës, ndërsa përsëriti se Aleanca nuk do të hyjë në qeveri vetëm për poste, por vetëm nëse sigurohet ndarje e përgjegjësive në procesin e vendimmarrjes.




