Sot përfundon afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kur do të vazhdojë seanca e ndërprerë për formimin e legjislaturës së 11-të.
Seanca u ndërpre me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kërkoi kohë shtesë për konsultime me partitë politike lidhur me çështjen e presidentit. Kjo kërkesë u kundërshtua nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, por kryesuesi Avni Dehari vendosi ndërprerjen e punimeve.
Para ndërprerjes u miratua komisioni për verifikimin e mandateve dhe deputetët e zgjedhur bënë betimin, përfshirë edhe deputetët e Listës Serbe.




