Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave lidhur me zjarrin që përfshiu diskotekën “Gate Club” në shkurt të vitit 2025.
Sipas aktakuzës, SH.T. dhe F.S. dyshohet se i vunë zjarrin objektit, pas shtytjes nga RR.A. dhe në këmbim të 3 mijë eurove. Si pasojë, dëmi material i shkaktuar është vlerësuar në 969 mijë e 435 euro.
Ndërkohë, B.H., I.M. dhe RR.A. akuzohen për shtytje në kryerjen e veprës penale të zjarrvënies. Prokuroria pretendon se disa nga të pandehurit kanë qenë të përfshirë edhe në një rast tjetër të zjarrvënies së një automjeti “Range Rover”, ku dëmi është vlerësuar në rreth 54 mijë e 893 euro.
F.S. akuzohet gjithashtu për pengim të të provuarit apo procedurës zyrtare.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që, pas shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.




