Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka shprehur mbështetjen e saj për ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë.
Në një postim në rrjetet sociale, Çitaku tha se rrugëtimi politik dhe personal i Thaçit është karakterizuar nga përballje të vështira dhe sakrifica për Kosovën.
Ajo theksoi se Thaçi, sipas saj, ka sfiduar vazhdimisht të pamundurën dhe ka vendosur kauzën për një Kosovë të lirë e demokratike mbi interesat personale.
Duke iu referuar procesit në Hagë, Çitaku tha se Thaçi e ka pranuar këtë përballje me vetëdije, duke e ditur se mund të ishte një nga të parët që do të përballej me të.
Në fund, ajo shprehu bindjen se Thaçi do të rikthehet i lirë dhe në postin e Presidentit.




