Sot shënohen 24 vjet nga sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001, që morën rreth 3.000 jetë në Shtetet e Bashkuara.
Në këtë përvjetor, edhe në Kosovë do të zhvillohen homazhe përkujtimore. Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, do të nderojnë viktimat pranë pllakës përkujtimore në oborrin e Qeverisë/Kuvendit në orën 09:00.
Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, zhvillohen ceremoni solemne për të kujtuar viktimat dhe për të nderuar heroizmin e zjarrfikësve, policëve dhe qytetarëve që ndërhynë atë ditë. Në Ground Zero, New York, familjarë dhe autoritete lexojnë emrat e viktimave dhe mbajnë momente heshtjeje, ndërsa në mbrëmje ndizet instalacioni artistik “Tribute in Light”, që simbolizon mungesën e Kullave Binjake.
Sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001 ishin një nga ngjarjet më tragjike në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara. Katër aeroplanë pasagjerësh u rrëmbyen nga pjesëtarë të Al-Kaidës, dy u përplasën në Kullat Binjake në New York, një në Pentagon dhe një tjetër në një fushë në Pensilvani, ku pasagjerët tentuan të ndalonin rrëmbyesit.




