Lëvizja Vetëvendosje i ka përcaktuar emrat që mund t’i propozojë për presidentin e ardhshëm të Kosovës, por ata nuk do të bëhen publikë para takimit me LDK-në.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, tha se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe VV janë të gatshëm për takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Sipas Konjufcës, në takim pritet të diskutohen emrat konkretë për president dhe ekziston mundësia për arritjen e një marrëveshjeje.
Ai tha se publikimi i emrave para takimit do ta dëmtonte procesin e negociimit. Konjufca shtoi se VV është në pritje të ftesës për caktimin e datës së takimit me LDK-në.
Ai shprehu keqardhje që takimi nuk u zhvillua javën e kaluar, por tha se partitë kanë nevojë për kohë për të përcaktuar kandidatët dhe për të gjetur një pajtueshmëri./EO/




