Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, kanë vizituar Institutin për Mjekësi Ligjore, ku po ekzaminohen mbetjet mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Mbetjet janë gjetur në tri lokacione në fshatrat Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Pas përfundimit të gërmimeve, ato tashmë i janë nënshtruar procedurave profesionale për ekzaminim, identifikim dhe dokumentim.
Kurti ka bërë të ditur se katër mostra të ADN-së nga mbetjet e gjetura në Jabukë janë dërguar për analiza në Hagë.
Sipas tij, që nga përfundimi i luftës janë realizuar rreth 2,700 gërmime, ndërsa vetëm gjatë këtij viti janë gjetur 30 mbetje mortore.
Kurti ka theksuar gjithashtu se në modernizimin e IML-së janë investuar mbi 814 mijë euro, përfshirë përmirësimin e laboratorëve, sallës së autopsisë dhe hapësirave për ruajtjen e dëshmive.




