Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka dhënë detaje rreth bisedimeve për gjetjen e një kandidati të përbashkët për presidentin e Kosovës.
Në një intervistë për Vox Kosova, Haziri ka thënë se Lumir Abdixhiku ishte në dijeni se nuk i kishte të sigurta të gjitha votat e deputetëve të LDK-së për Bekim Sejdiun.
Sipas Hazirit, Sejdiu ishte përfshirë në propozimet e të dyja palëve gjatë negociatave mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Ai ka treguar se LDK-ja kishte propozuar tre emra, ndërsa VV-ja dhjetë, dhe Sejdiu ishte emri që ishte përfshirë në të dyja listat.
Haziri ka thënë se brenda grupit parlamentar të LDK-së nuk janë vetëm gjashtë deputetë që kanë shprehur kundërshtime, por gjithsej 12 deputetë me hezitime serioze rreth kësaj kandidature.
Ai ka theksuar se interesi i LDK-së duhet të jetë mbi një emër të vetëm, duke kundërshtuar qasjen që, sipas tij, e vendos kandidaturën e presidentit mbi unitetin e partisë.




