Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me situatën institucionale në vend.
Në fjalimin e tij në Kuvend, Ramadani akuzoi Kurtin se po e zvarrit krijimin e institucioneve dhe se, sipas tij, po e shtyn Kosovën drejt zgjedhjeve të reja.
Ai përmendi tri çështje që i konsideron shkelje: tejkalimin e afateve kushtetuese, mosrespektimin e interpretimit të mëhershëm të Vetëvendosjes për afatet dhe dështimin për krijimin e institucioneve.
Ramadani kritikoi edhe kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, duke pretenduar se gjatë kësaj periudhe ka vepruar në koordinim të drejtpërdrejtë me Kurtin.
Sipas tij, jostabiliteti institucional përbën një rrezik për sigurinë kombëtare. Ramadani tha se Aleanca, në bashkëpunim me PDK-në dhe qytetarët, do të vazhdojë veprimet për mbrojtjen e demokracisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë./EO/




