Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka përgëzuar Rona Malën, vajzë me prejardhje nga Drenasi, për përfundimin me sukses të trajnimit bazë ushtarak në kuadër të Gardës Kombëtare të Luizianës.
Mala ka përfunduar 12 javë trajnim intensiv në bazën ushtarake Fort Sill në Oklahoma, ndërsa aktualisht po vijon trajnimin e avancuar në Fort Leonard Wood, Missouri. Pas përfundimit të tij, ajo pritet t’u rikthehet studimeve universitare.
Maqedonci ka treguar se ishte ftuar si mysafir nderi në ceremoninë e diplomimit të saj, por për shkak të angazhimeve zyrtare në Kosovë nuk ka mundur të marrë pjesë.
Sipas tij, Rona është dalluar edhe gjatë shkollimit, duke qenë pjesë e “Honor Roll” dhe duke arritur në finalet e garave kombëtare të vallëzimit në SHBA.
Maqedonci e ka vlerësuar suksesin e saj si një shembull frymëzues për diasporën dhe Kosovën, duke i uruar suksese në vazhdimin e trajnimit, studimeve dhe rrugëtimit të saj profesional.




