Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, është pritur në Parlamentin Evropian, ku është diskutuar për përfshirjen e sektorit privat të Kosovës në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
AKB ka kërkuar që bizneset kosovare të kenë qasje më të drejtpërdrejtë në fondet dhe instrumentet financiare të Bashkimit Evropian, përfshirë investimet, kreditë e favorshme, garancitë financiare, digjitalizimin, energjinë e pastër dhe mbështetjen për eksportet.
Shahini tha se fondet evropiane duhet të shndërrohen në investime konkrete për kompanitë kosovare, duke theksuar se fuqizimi i sektorit privat është thelbësor për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.
AKB u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës dhe partnerëve evropianë që të krijojnë mekanizma transparentë dhe të qasshëm për bizneset, në mënyrë që ato të jenë përfituese aktive të mundësive që ofron Plani i Rritjes.




