Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar mënyrën e zhvillimit të procesit për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, pas ndërprerjes së seancës konstituive.
Ajo tha se LDK-ja ka kërkuar respektimin e Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Rregullores së Kuvendit dhe praktikës parlamentare. Sipas saj, nënkryetarët duhet të zgjidhen sipas radhës së përcaktuar për grupet më të mëdha parlamentare.
Lushaku-Sadriu e akuzoi LVV-në se nuk ka arritur konsensus për mënyrën e votimit dhe se ka tentuar të imponojë një procedurë të caktuar.
Ajo tha se LDK-ja e kishte mbështetur kandidaten e LVV-së për nënkryetare, Arbërie Nagavci, ndërsa kërkoi që e njëjta qasje të vlejë edhe për kandidatët e grupeve të tjera parlamentare./EO/




