Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar që PDK-ja të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, e cila është caktuar për të dielën.
Pas dështimit të seancës, Kurti tha se për përmbylljen e procesit të konstituimit nevojitet një marrëveshje politike mes partive parlamentare.
Ai u shpreh se PDK-ja duhet të rikthehet në Kuvend për të mundësuar zgjedhjen e nënkryetarëve dhe vazhdimin e procedurave për formimin e institucioneve të tjera.
Kurti tha se zgjedhjet e reja duhet të shmangen, duke i cilësuar si të panevojshme dhe të kushtueshme. Sipas tij, situata mund të zgjidhet përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike.
Ai bëri të ditur se ka tentuar të kontaktojë kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, por nuk ka arritur të zhvillojë një takim me të.
Kurti theksoi se Vetëvendosje është e gatshme të votojë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, ndërsa kërkoi që edhe partitë tjera të tregohen konstruktive.
“Jemi vonë, por nuk është tepër vonë”, tha Kurti, duke shpresuar se të dielën do të ketë vullnet politik për ta përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit./EO/




