Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave dhe tri kompanive, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe keqpërdorim e mashtrim në prokurim publik.
Rasti lidhet me dy kontrata për ndërtimin e rrugëve në Komunën e Suharekës, të lidhura gjatë viteve 2021 dhe 2022.
Sipas aktakuzës, zyrtarët përgjegjës kanë certifikuar punime si të përfunduara, ndonëse disa prej tyre nuk ishin realizuar sipas kontratave dhe ndryshimet nuk ishin proceduar në përputhje me rregullat e prokurimit.
Nga këto veprime, Komunës së Suharekës dyshohet se i është shkaktuar dëm prej gjithsej 9,962.98 euro.
Prokuroria ka kërkuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Për zyrtarët është propozuar edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike, ndërsa për kompanitë ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë.




