Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka marrë konfirmimin për përfshirjen në mekanizmin EUREP të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), i cili mundëson sigurimin e likuiditetit në euro për bankat qendrore të vendeve jashtë eurozonës.
Sipas BQK-së, kjo qasje përbën një hap të rëndësishëm për forcimin e stabilitetit financiar dhe menaxhimin e likuiditetit në euro në Kosovë.
Aktualisht, BQK-ja ka në dispozicion një linjë REPO deri në 100 milionë euro, e vlefshme deri më 31 janar 2027. Me mekanizmin EUREP, qasja kalon në një kornizë më të qëndrueshme të Eurosistemit.
Në kuadër të këtij mekanizmi, likuiditeti mund të sigurohet kundrejt kolateralit të pranueshëm në euro, ndërsa shuma konkrete përcaktohet në bazë të nevojave, kërkesave dhe kushteve të përcaktuara nga BQE-ja.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka vlerësuar këtë zhvillim si hap të rëndësishëm për rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar të Kosovës.




