Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka shtuar kontrollet në bizneset e tekstilit, me fokus te çmimet, zbritjet dhe respektimi i të drejtave të konsumatorëve.
Gjatë inspektimeve po verifikohen dokumentacioni i bizneseve, faturat, origjina e produkteve, etiketimi, çmimet dhe mënyra e zhvillimit të promocioneve.
Inspektorati po kontrollon veçanërisht nëse çmimi i vendosur në produkt përputhet me atë që paguan konsumatori në arkë, përfshirë rastet kur produktet janë në zbritje.
Kontrollet do të shtrihen edhe te bizneset që shesin produkte të tekstilit online. Çdo shkelje e evidentuar do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi.
IQMT u ka bërë thirrje konsumatorëve që të raportojnë parregullsitë përmes kanaleve zyrtare të ankesave.




