Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetimet ndaj një zyrtari policor në Stacionin Policor Kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pas dyshimeve për veprime të kundërligjshme lidhur me një shumë prej 105 eurosh.
Rasti është raportuar më 9 shtator, pasi një punonjës i aeroportit kishte njoftuar për humbjen e parave. Nga shqyrtimi i pamjeve të kamerave është konstatuar se paratë ishin gjetur nga një udhëtare, e cila më pas ia kishte dorëzuar një zyrtari policor.
Sipas IPK-së, zyrtari ka pranuar se i kishte marrë paratë, por nuk i kishte trajtuar ato sipas procedurave përkatëse. Më vonë, ai i kishte vendosur paratë në kutinë e donacioneve të një organizate bamirëse në aeroport.
Për shkak të dyshimit të arsyeshëm dhe për të mundësuar zhvillimin e papenguar të hetimeve, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë të zyrtarit.
Hetimet po vazhdojnë për veprat penale “Përvetësimi në Detyrë” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, në koordinim me Prokurorinë.




