Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Dimal Basha, mirëpriti në takim të ngrohtë dhe vëllazëror Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në vendin tonë, z. Petrit Malaj dhe zëvendësamasadoren znj. Pranvera Teli.
Në fillim të takimit, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Basha, përgëzoi zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Niko Peleshi dhe ambasadorit i shprehu urimet më të përzemërta për këtë ngjarje të rëndësishme për shtetin shqiptar.
Gjatë takimit, Kryetari dhe Ambasadori diskutuan për idenë e mundësisë së krijimit të një Zyreje Ndërlidhëse në kuvendet e të dyja shteteve, ku deputetët do të informohen në kohë reale për zhvillimet brenda institucioneve përkatëse, pastaj ku shkëmbehen njoftimet për qëndrimet e kuvendeve në raport me temat e caktuara si dhe ku përditësohen lajmet lidhur me procedurat dhe iniciativat në zhvillim me rëndësi për vendet tona.
Kryetari Basha më tej theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Shqipërisë për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, duke shprehur angazhimin serioz të Kuvendit të Kosovës për të avancuar në këtë drejtim. Ai gjithashtu uroi Ambasadorin Malaj për hapjen e katër kapitujve në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke vlerësuar këtë arritje si moment të rëndësishëm përpara në rrugën e integrimit evropian.
Kryetari i Kuvendit e falënderoi Ambasadorin Malaj për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe kontributin për bashkëpunimin mes dy shteteve tona, duke theksuar nevojën për sinkronizim edhe më të madh mes institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha nivelet, për të përballuar me sukses sfidat e përbashkëta dhe për të avancuar agjendat evropiane të shteteve tona.




