Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zotua të enjten se nuk do ta lejojë Izraelit të aneksojë Bregun Perëndimor, duke i kundërshtuar thirrjet e disa politikanëve të ekstremit të djathtë në Izrael që duan ta zgjerojnë sovranitetin mbi tokën palestineze dhe t’i shuajnë shpresat për një shtet palestinez.
“Unë nuk do ta lejoj Izraelin ta aneksojë Bregun Perëndimor. Jo, nuk do ta lejoj. Nuk do të ndodhë” – tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është përballur me trysni të madhe nga disa aleatë brenda koalicionit për të aneksuar Bregun Perëndimor, gjë që i ka shqetësuar liderët arabë, disa prej të cilëve u takuan të martën me Trumpin.
Vendbanimet izraelite janë rritur në madhësi dhe numër qëkurse Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor gjatë luftës së vitit 1967.




