Danimarka ndalon këtë javë të gjitha fluturimet e dronëve civilë në të gjithë vendin për shkak të një samiti informal të BE-së të mërkurën.
Ne do ta mbyllim hapësirën ajrore daneze për të gjitha fluturimet e dronëve civilë nga e hëna deri të premten”, njoftoi të dielën (28.09.)Ministria Daneze e Transportit. Danimarka do të presë krerët e shteteve dhe qeverive të BE-të mërkurën (01.10.) prandaj vendi ka në fokus të veçantë sigurinë, thuhet nga Ministria Daneze.
Masa erdhi si pasojë e fluturimeve misterioze të dronëve mbi Danimarkë të shfaqura në ditët e fundit. Që nga 22 shtatori, shfaqja e dronëve të paidentifikuar në Danimarkë ka çuar në mbylljen e disa aeroporteve. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen i ka quajtur këto “sulme hibride”. Deri më tani, nuk ka asnjë tregues se kush është përgjegjës për incidentet. Rusia ka mohuar çdo përfshirje.
Danimarka, si Presidentja aktuale e Këshillit të BE-së, do të organizojë një samit informal të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së në Kopenhagen të mërkurën (1-2.10), i ndjekur nga një samit i Komunitetit Politik Evropian (EPC). Ndër temat e pritshme për diskutim do të jetë mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe forcimi i gatishmërisë së përbashkët evropiane për mbrojtje. Kancelari Friedrich Merz (CDU) gjithashtu planifikon të fluturojë për në kryeqytetin danez për të dy takimet.




