Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka njoftuar se kryetari i saj, Ali Ahmeti, më 17 tetor, në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, ka vendosur të anulojë të gjitha aktivitetet partiake dhe do të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare në Tiranë, të thirrur nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Protesta do të mbahet në sheshin “Skënderbej” të Tiranës, duke filluar nga ora 17:00, me moton: “Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë në Hagë”.
“Ali Ahmeti, i cili ishte i pranishëm edhe në protestën e organizuar në Prishtinë, në cilësinë e bashkëthemeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka pranuar ftesën e organizatorëve për të qenë pjesë e kësaj proteste të madhe mbarëkombëtare,” thuhet në njoftimin e BDI-së.





