Sektori i energjisë, e me theks procesi i liberalizimit të tregut të energjisë, ishin ndër temat që thuhet të kenë qenë në fokusin e diskutimit në takimin që pati bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë me zëvendës ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher.
Ky bord në takim thuhet ta ketë nënvizuar sipas tyre se liberalizimi i tregut tërheq investime në sektorin energjetik.
“U theksuan benefitet afatgjata që sjell ky proces për konsumatorët, përfshirë rritjen e efikasitetit, përmirësimin e shërbimeve dhe mundësinë e zgjedhjes së furnizuesve. Po ashtu, u diskutua edhe rëndësia e liberalizimit të tregut për tërheqjen e investimeve në sektorin energjetik, çka do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe energjetik të qëndrueshëm të vendit”, thuhet në komunikatën për media.
Më tej në komunikatë është thënë se ZRRE-ja ka vlerësuar gjithmonë bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare dhe shtetet mike të Kosovës, duke theksuar se Gjermania ka kontribuar në zhvillimin e sektorit të energjisë përmes mbështetjes teknike, ekspertizës dhe projekteve të ndryshme.





