Deri më tani, ky drejtim kërkimi ka qenë i ndaluar për shkak të frikës se mund të çojë në krijimin e “bebave të personalizuara” apo pasoja të paparashikuara për brezat që do të vijnë.
Megjithatë, organizata më e madhe në botë për financimin e kërkimeve në fushën e mjekësisë, Wellcome Trust, ka ofruar një fond fillestar prej 10 milionë paund për të nisur projektin, duke argumentuar se përfitimet mund të jenë më të mëdha se rreziqet – përfshirë zhvillimin më të shpejtë të kurave për sëmundje të pashërueshme, raporton BBC.
Dr Julian Sale, nga Laboratori i Biologjisë Molekulare në Kembrixh (MRC), i cili është pjesë e projektit, u shpreh për BBC se ky është “një hap kolosal përpara në biologji”.
“Sipas nesh, mundësitë janë të pafundme. Po punojmë drejt zhvillimit të terapive që do të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës për njerëzit, duke synuar një plakje më të shëndetshme dhe më pak të prekshme nga sëmundjet,” tha ai.
Sipas tij, kjo metodë mund të kontribuojë në krijimin e qelizave të afta t’i rezistojnë sëmundjeve, të cilat më pas do të mund të përdoren për të ripërtërirë organe të dëmtuara – si mëlçia, zemra apo edhe vetë sistemi imunitar.
Nga ana tjetër, nuk mungojnë as zërat kritikë që paralajmërojnë për rreziqe të mundshme, duke ngritur shqetësime se kjo teknologji mund të shfrytëzohet nga individë apo grupe pa skrupuj për të krijuar njerëz të modifikuar gjenetikisht.




