Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalur me një komunikatë për media ku ka shpjeguar gabimin në fletëvotimet e Mitrovicës dhe Gjakovës, sipas sqarimit nga kompania sllovene.
KQZ njofton se pas raportimit të gabimit, kompania që ka shtypur fletëvotimet ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit, ku është evidentuar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik, andaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes.
Kompania sllovene CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre dhe shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se për këtë përgjigje është njoftuar Prokuroria e Shtetit.





