Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka shprehur shqetësim për kërkesat për rritje të çmimit të energjisë elektrike, duke paralajmëruar pasoja serioze për bizneset dhe qytetarët, veçanërisht pas rritjes prej 16.1 për qind të vitit të kaluar.
Rafuna tha se për bizneset, energjia elektrike përbën një kosto të lartë operative, sidomos për prodhuesit vendorë, ndërsa për qytetarët një rritje e re do të ulë standardin jetësor dhe fuqinë blerëse. Ai theksoi se faturat për disa biznese të dala në tregun e lirë janë rritur nga 200 deri në 400 për qind.
Sipas tij, një rritje e re do të dëmtonte konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe do të pengonte investimet, ndërsa OEK do të analizojë situatën pas zyrtarizimit të vendimeve, duke kërkuar përfshirjen e Qeverisë dhe të ZRRE-së.
Ndërkohë, KESCO ka kërkuar rritje mbi 21 për qind të tarifave për vitin 2026, duke arsyetuar kërkesën me rritjen e kostove operative dhe të importit të energjisë./EO/




