Gjyqësori i Kosovës ka hapur një muze të ri, ku paraqitet historia e sistemit të drejtësisë përmes dokumenteve, artefakteve dhe dëshmive të rralla. Në hyrje të muzeut ekspozohet toga e ish-kryetarit të Gjykatës Supreme, Rexhep Haxhimusa, si simbol i integritetit profesional.
Muzeu përfshin periudha të ndryshme historike, nga vitet ’40 e deri pas luftës në Kosovë, duke përfshirë edhe dokumente për gjyqtarët e emëruar dhe të shkarkuar gjatë viteve ’90. Ai është konceptuar nga ish-kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, i cili thekson rëndësinë e ruajtjes së historisë së sistemit të drejtësisë dhe sfidave ndër vite.
Në muze përfshihen edhe materiale që dëshmojnë rolin e drejtësisë zakonore dhe kontributin e ndërkombëtarëve në zhvillimin e sistemit gjyqësor në Kosovë. I vendosur në Pallatin e Drejtësisë, muzeu do të shërbejë si hapësirë edukative për nxënës, studiues dhe vizitorë.




