Sot në Prishtinë është zhvilluar një aksion simbolik kundër ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila së fundmi ka nxitur reagime të shumta publike për shkak të pasaktësive të pretenduara në paraqitjen e ngjarjeve historike.
Njëri nga organizatorët e aksionit, Astrit Gjocaj, deklaroi se sipas tyre, të gjitha tekstet e ekspozitës përmbajnë gabime, duke shtuar se sigurimi i të dhënave të sakta nuk ka qenë i vështirë, pasi ekzistojnë memoriale dhe pllaka përkujtimore me emrat e viktimave./EO/
Ai theksoi se qëllimi i aksionit ishte të nxjerrë në pah jo vetëm gabimet faktike, por edhe, sipas tij, tendencën për të relativizuar krimet dhe për të zhvendosur përgjegjësinë, madje edhe te familjarët e viktimave. Gjocaj përmendi në veçanti rastin e burgut të Dubravës, duke kundërshtuar pretendimet se aty ka pasur rezistencë të armatosur nga të burgosurit, duke e cilësuar ngjarjen si masakër ndaj civilëve të pambrojtur.
Ai kritikoi gjithashtu mbështetjen në burime të caktuara, duke theksuar se të dhënat mund të verifikoheshin lehtësisht në terren, si në Krushë, Prekaz apo në memorialin e Dubravës, ku sipas tij janë të shënuar të gjithë emrat e viktimave.
Gjocaj u shpreh i zhgënjyer edhe me mënyrën e realizimit të projektit dhe financimin e tij, duke theksuar se ekspozita do të kishte vlerë nëse do të paraqiste informacion të saktë dhe të balancuar.
Në fund, ai apeloi që tema të tilla të mos politizohen, duke shtuar se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme që lidhen me dhimbjen dhe kujtesën kolektive të familjeve që ende përballen me pasojat e luftës.




