Pasojat e zhvillimeve në Lindjen e Mesme kanë filluar të ndihen edhe në Kosovë, duke ndikuar në rritjen e çmimeve në disa sektorë kyç, përfshirë derivatet e naftës, transportin ndërurban dhe produktet ushqimore.
Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një intervistë për Ekonomia Online paralajmëroi se trendi i rritjes së çmimeve pritet të vazhdojë, ndërsa kërkoi nga institucionet që të ndërmarrin masa konkrete për mbrojtjen e qytetarëve dhe stabilizimin e tregut.
Sipas tij, mundësitë e shtetit për të ndalur rritjen e çmimeve janë të kufizuara, duke përmendur si problematikë mbipopullimin e pompave të derivateve të naftës në vend. Ai theksoi se në Kosovë ka rreth 800 të tilla, ndërkohë që nevoja reale është për rreth 250, gjë që, sipas tij, vështirëson kontrollin e cilësisë dhe funksionimin e tregut.
Kaçaniku shtoi se një ndër problemet kryesore mbetet mungesa e një tregu të konsoliduar, duke theksuar se institucionet ende nuk e kanë trajtuar si duhet rolin e qytetarit si konsumator dhe taksapagues.
Ai bëri thirrje që Autoriteti i Konkurrencës të ndërhyjë për të parandaluar shkeljet në treg, sidomos në rastet kur operatorë të ndryshëm paralajmërojnë rritje të çmimeve në mënyrë të koordinuar, çka mund të jetë në kundërshtim me ligjin për konkurrencë të lirë.
Sipas Kaçanikut, rritja e çmimeve do të prekë një gamë të gjerë sektorësh, duke filluar nga transporti urban dhe ndërurban, deri te bujqësia dhe prodhimi vendor, përfshirë edhe artikujt bazë si buka. Ai paralajmëroi gjithashtu se ekziston rreziku i mungesës së derivateve, duke përmendur situata të ngjashme që tashmë po raportohen në vende si Gjermania.
Duke komentuar nevojën për rritjen e numrit të inspektorëve, ai theksoi se problemi nuk qëndron te numri, por te efikasiteti i tyre, duke kërkuar angazhim më të madh dhe zbatim të rreptë të ligjit për të parandaluar abuzimet në treg.




