Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar ashpër ekspozitën e Shkëlzen Gashit mbi luftën e Kosovës, duke e cilësuar atë si “skandaloze” dhe një devijim nga e vërteta historike.
Partia kërkon përgjegjësi të qartë publike për financimin dhe promovimin e saj, si dhe kërkimfalje ndaj familjeve të viktimave.
LDK thekson se mbrojtja e së vërtetës dhe dinjitetit të viktimave është një detyrim shtetëror.
“Edhe më i rëndë është fakti se një përmbajtje e tillë është financuar dhe promovuar nga institucioni më i lartë i shtetit, Kuvendi i Kosovës. Ky nuk është thjesht një gabim; është një dështim serioz institucional.
Shteti nuk mund të sponsorizojë narrativat që bien ndesh me të vërtetën dhe dinjitetin e qytetarëve të vet”, thuhet në reagim.
LDK shpreh mbështetjen e saj për angazhimin e Prokurorisë Speciale dhe kërkon që rasti të trajtohet me seriozitet, paanshmëri dhe vendosmëri, deri në zbardhjen e çdo përgjegjësie të mundshme.




