Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se vendimi për mbështetjen financiare të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” është marrë nga Kryesia e Kuvendit, në përputhje me Rregulloren për subvencionim.
Ajo shtoi se, përveç përfaqësuesve të Listës Serbe, të gjithë anëtarët e tjerë votuan në favor të këtij vendimi.
Megjithatë, Haxhiu tha se ndjen obligim institucional dhe moral të shpreh keqardhjen për situatën e krijuar.
“Kryesia ka vepruar mbi bazën e informacionit të paraqitur në atë kohë dhe nuk ka pasur indikacione për pasaktësi. Verifikimi i të dhënave nuk bie në kompetencat e drejtpërdrejta të Kryesisë”, tha ajo.
Haxhiu theksoi se mbështetja ishte e bërë me qëllim të mirë, por kjo ngjarje shërben si një moment reflektimi institucional.
Ajo paralajmëroi se do të ndërmerren hapa për të forcuar mekanizmat e vlerësimit, duke përfshirë themelimin e komisioneve profesionale dhe ndryshimin e Rregullores për të rritur transparencën dhe llogaridhënien në vendimmarrje.




