Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) i është drejtuar me një letër publike institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë mbështetur ekspozitën dhe publikimin “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.
Përmes njoftimit në rrjetin social Facebook, OVL UÇK ka bërë të ditur se letra u është dërguar institucioneve si:
Community Development Fund (CDF) – Ambasada e Suedisë në Kosovë
Rockefeller Brothers Fund (RBF)
Institute of International Education (IIE)
Swiss Federal Department of Foreign Affairs (FDFA) – Ambasada e Zvicrës në Kosovë
Cultural Heritage without Borders (CHwB)
Kosovo Foundation for Open Society (KFOS) / Open Society Foundations
Në letër, OVL UÇK kërkon tërheqjen e emrave të këtyre institucioneve nga çdo referencë e mbështetjes së publikimit, duke u bazuar në shqetësime për besueshmërinë dhe integritetin e tij.
Organizata thekson se trajtimi i temave historike të ndjeshme kërkon përgjegjësi të lartë dhe standarde profesionale të qarta.
Letra argumenton se publikimi nuk përmbush kriteret e një hulumtimi akademik të strukturuar, përfshin të dhëna jo të verifikuara dhe përdor një klasifikim të thjeshtëzuar të viktimave, gjë që mund të çojë në interpretime të pasakta të ngjarjeve.
OVL UÇK konsideron se mbështetja e institucioneve krijon perceptim të legjitimitetit të tyre lidhur me përmbajtjen e ekspozitës, dhe kërkon distancim të plotë institucional.
Organizata përfundon duke theksuar se ruajtja e së vërtetës historike është një përgjegjësi morale ndaj viktimave dhe brezave që vijnë.




