Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që të emërojë pa vonesë anëtarin e dytë të partisë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Rashit Qalaj.
Kjo kërkesë vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli të papranueshme kërkesën e presidentes Osmani për sqarim mbi emërimin e anëtarëve të KQZ-së.
Sekretari për Anëtarësi dhe Financa i PDK-së, Betim Gjoshi, tha se kërkesa e presidentes ka qenë e panevojshme, duke u bazuar në praktikat e mëparshme dhe në përputhshmërinë me Kushtetutën.
Ai shtoi se mandati i takon PDK-së sipas nenit 139 të Kushtetutës dhe Ligjit për Zgjedhjet, dhe bëri thirrje që emërimi i anëtarit të bëhet menjëherë.
“Ne presim që znj. Osmani të veprojë pa humbur kohë dhe të emërojë anëtarin e PDK-së, z. Qalaj, i cili plotëson të gjitha kriteret,” tha Gjoshi për RTV21.




