Komisioni për Buxhet ka miratuar me nëntë vota për, asnjë kundër dhe një abstenim Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) në shumën 80 milionë euro.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kredia do të përdoret për reforma në sektorin e energjisë dhe për përshpejtimin e tranzicionit drejt energjisë së gjelbër, duke harmonizuar legjislacionin e Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian.
Kredi e ngjashme prej 80 milionë eurosh është parashikuar edhe me Bankën Zhvillimore Gjermane (KfW), duke e çuar mbështetjen totale në 160 milionë euro. Kredi ka afat 12 vjet me 3 vjet periudhë grejs dhe interes të bazuar në Euribor 6-mujor plus 0.5% tarifë.




