Në ambientet e Termocentralit “Kosova B” u mbajt ceremonia e nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura dhe një objekti për magazinimin e kimikateve, me qëllim përmirësimin e cilësisë së ujit të lumit Sitnica.
Projekti synon krijimin e një sistemi të integruar dhe afatgjatë për menaxhimin e rrjedhave të ujërave industriale, me standarde bashkëkohore mjedisore, duke përfshirë ujërat me vaj, kimikate, rrjedhat nga depozitat e qymyrit dhe ujërat sanitare.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e vlerësoi këtë iniciativë si një hap të madh për mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e infrastrukturës energjetike publike.
Projekti, me vlerë 12 milionë euro, financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.
Ai pritet të sjellë përmirësime të ndjeshme në reduktimin e ndotjes së lumit Sitnica dhe të kontribuojë në standarde më të larta mjedisore dhe shëndetësore.




