Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila hodhi poshtë kërkesën për masë të përkohshme lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë.
Deputeti Ferat Shala deklaroi se kërkesa kishte për qëllim shtyrjen e zbatimit të procesit deri në përgatitjen e kushteve të nevojshme për bizneset. Ai theksoi se, pavarësisht qëndrimit të PDK-së, vendimet e Kushtetueses duhet të respektohen.
Shala akuzoi Zyrën e Rregullatorit për Energji për ndikim politik, duke pretenduar se institucioni është shndërruar në “aset” të qeverisë së Albin Kurti.
Sipas tij, procesi i liberalizimit nuk është menaxhuar si duhet dhe po dëmton bizneset dhe transparencën në sektorin energjetik. Ai përmendi gjithashtu shqetësime për rritjen e çmimeve dhe mungesën e monitorimit profesional.
Në anën tjetër, Zyra e Rregullatorit për Energji njoftoi se vendimi i Kushtetueses konfirmon ligjshmërinë e veprimeve të saj dhe procesit të liberalizimit, i cili synon krijimin e një tregu më konkurrues dhe transparent në interes të konsumatorëve.




