Kërkesa për këtë seancë është bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me përkrahje nga deputetë të Partis Demokratike e Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Pika e vetme e rendit të ditës është shqyrtimi i një rezolute që synon të trajtojë rritjen e çmimeve të derivateve, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimin në koston e jetesës dhe stabilitetin ekonomik të vendit. Seanca pritet të nisë në orën 11:00.
Në arsyetimin e tyre, deputetët kanë akuzuar Qeverinë për mungesë veprimi përballë rritjes së çmimeve, duke theksuar se ka pasur mundësi për uljen e akcizës dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, por që këto propozime nuk janë marrë parasysh.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka reaguar gjithashtu publikisht, duke kërkuar masa të menjëhershme dhe më shumë transparencë, ndërsa ka kritikuar Qeverinë për qasjen ndaj situatës aktuale ekonomike.




