Vlora Çitaku ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, duke i cilësuar ato si skandaloze dhe të papranueshme, veçanërisht për akuzat ndaj mediave.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës ka akuzuar Kurtin se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë përmes, siç tha ajo, hedhjes së mjegullës me deklarata të rënda. Ajo kërkoi publikimin e emrave dhe fakteve për pretendimet se media kanë marrë para nga Serbia.
Çitaku gjithashtu kritikoi mbajtjen në detyrë të Martin Berishaj, duke përmendur raportimet për përfshirjen e tij në afera financiare me kompaninë GEN.
Në reagimin e saj publik, ajo theksoi se sulmet ndaj mediave të lira janë të papranueshme dhe bëri thirrje për transparencë dhe llogaridhënie nga ana e Qeverisë.




