Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar paraburgim 30-ditor për A.B., shtetas i Shqipërisë, i arrestuar më 3 prill 2026 në Gjakovë, pasi iu gjetën dhe sekuestruan mbi 5 kg marihuanë.
Sipas njoftimit, i dyshuari posedonte dhe transportonte substanca narkotike pa autorizim, me qëllim shitjeje ose shpërndarjeje.
Policia e Kosovës e ka ndaluar atë në parkingun e një restoranti, ku gjatë kontrollit në automjetin e tij janë gjetur dhjetë qese me marihuanë, në peshë totale 5 kg e 413 gr.
Në kuadër të hetimeve, janë sekuestruar edhe automjeti dhe dy telefona të të dyshuarit.
Ai ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh, ndërsa Prokuroria ka nisur procedurat për caktimin e paraburgimit për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.//sinjali//




