Në Pikëkalimin Kufitar në Merdarë, autoritetet doganore kanë zbuluar dhe konfiskuar mallra të padeklaruara gjatë kontrollit të një autobusi të linjës ndërkombëtare.
Gjatë procedurave fillestare, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte mallra për deklarim.
Megjithatë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, autobusi është përzgjedhur për kontroll të detajuar.
Gjatë inspektimit, në pjesën e motorit dhe në hapësirën e tualetit janë zbuluar mallra të fshehura. Konkretisht, janë gjetur tri pako me gjithsej 500 cigare elektronike, me vlerë të përafërt rreth 10 mijë euro.
Dogana e Kosovës ka ndërmarrë veprimet përkatëse, duke ndaluar përkohësisht mallin deri në përfundimin e procedurave administrative.




