Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, e ka cilësuar si vendim politik shtyrjen e tarifave të reja të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) deri më 1 maj.
Në një intervistë, ai theksoi se kërkesa për rritje prej rreth 20% nga operatorët energjetikë nuk është e arsyeshme, duke pasur parasysh gjendjen ekonomike në vend. Sipas tij, ZRRE ka zvarritur procesin përtej afateve ligjore dhe nuk ka treguar vendimmarrje të qartë.
Shala shtoi se veprimet e fundit të këtij institucioni lidhen me zhvillimet politike në vend, duke përmendur periudhën para proceseve të rëndësishme politike si zgjedhja e presidentit apo zgjedhjet e mundshme të jashtëzakonshme.
Ai ngriti shqetësime edhe për mungesën e transparencës dhe për, siç u shpreh, aferat korruptive në sektorin e energjisë, përfshirë çështjet në KEK, Ujman dhe importin e energjisë. Sipas tij, për të shmangur rritjen e tarifave, duhet të kryhet një auditim i plotë i sistemit dhe të publikohet një raport i detajuar mbi të hyrat dhe kërkesat e operatorëve.
Deputeti kërkoi gjithashtu sqarime për çështjen e njehsorëve elektrikë dhe për mënyrën e menaxhimit të tyre ndër vite, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe transparencë më të madhe ndaj qytetarëve.
Në anën tjetër, ai kritikoi mungesën e planifikimit dhe transparencës në importin e energjisë, duke theksuar se keqmenaxhimi në këtë sektor po sjell kosto shtesë për qytetarët.
Ndërkohë, ZRRE ka vendosur që tarifat e reja të energjisë elektrike, të parashikuara fillimisht për 1 prill 2026, të hyjnë në fuqi më 1 maj 2026. Gjatë muajit prill do të mbeten në fuqi tarifat aktuale.
Kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka konfirmuar se gjatë këtij muaji nuk do të ketë ndryshime në çmimin e energjisë.
Rritja prej rreth 20% e çmimit të energjisë është kërkuar nga KESCO, KOSTT dhe KEDS./EO/




