Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, po merr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku po diskutohet për situatën në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi stabilitetin dhe përparimin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një demokraci funksionale me institucione të qëndrueshme dhe nivel të lartë sigurie.
Konjufca vuri në pah se Kosova ka ndërtuar institucione demokratike dhe të pavarura, ndërsa theksoi se qeveria e re do të vazhdojë angazhimin për rritjen e sigurisë dhe zhvillimit në vend.
Ai kritikoi gjithashtu rolin e Beogradit, duke e akuzuar për ndërhyrje në proceset zgjedhore në Kosovë dhe për mbështetje të Listës Serbe. Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë arritur të parandalojnë këto ndërhyrje dhe të ruajnë integritetin e procesit zgjedhor.
Konjufca theksoi se, pavarësisht disa vlerësimeve që i konsideroi jo plotësisht objektive në raportet ndërkombëtare, Kosova vazhdon të tregojë progres në forcimin e demokracisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.




