Komisioni për Punë të Jashtme ka miratuar draft-planin e punës për sesionin pranveror me nëntë vota për, pa asnjë kundër dhe pa abstenime.
Kryetarja e Komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, prezantoi aktivitetet e planifikuara për muajt në vijim, duke theksuar se plani është diskutuar më herët dhe është plotësuar me disa propozime shtesë.
Ajo bëri të ditur se gjatë muajit prill pritet raportimi i ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe zhvillimi i takimeve me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, ambasadave në Kosovë dhe organizatave joqeveritare që mbështesin punën e Kuvendit.
Sipas saj, në plan përfshihet edhe organizimi i një tryeze për politikën e jashtme dhe diskutime për mbajtjen e një konference ndërkombëtare. Gjithashtu, janë iniciuar kërkesa për takime me përfaqësues diplomatikë, përfshirë Eva Palatova, Anu Prattipati dhe Georg Schnetzer, për të cilët tashmë janë marrë disa konfirmime për takime.
Kryeziu-Hyseni shtoi se gjatë muajit maj planifikohet organizimi i një tryeze në bashkëpunim me shoqërinë civile, me fokus politikën e jashtme, ndërsa do të përfshihet edhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjit për shërbimin e jashtëm. Ndërkaq, në qershor pritet të trajtohet edhe zbatimi i ligjit për diasporën.
Ajo theksoi se gjatë procesit mund të shtohen edhe çështje të tjera me interes, ndërsa komisioni do të përgatisë raporte që do t’i përcillen ministrit dhe Kuvendit./eo/




