Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka folur para mediave përpara fillimit të seancës plenare, duke u ndalur sërish te çështja e zgjedhjes së presidentit.
Ajo bëri të ditur se konsultimet dhe takimet lidhur me këtë proces do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Sipas saj, megjithëse kryeministri ndodhet në Londër për një prezantim zyrtar, pritet që angazhimet politike të intensifikohen gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme.
Nagavci foli gjithashtu për marrëveshjen e Bordit të Paqes, e cila ende nuk është proceduar për ratifikim në Kuvend. Ajo shprehu besimin se kjo çështje do të trajtohet shumë shpejt.
Sipas saj, Komisioni përkatës pritet ta shqyrtojë marrëveshjen në fillim të javës së ardhshme, ndërsa më pas ajo do të procedohet për votim në Kuvend.




