Investimet e kompanive kosovare jashtë vendit po rriten vazhdimisht, duke reflektuar zgjerimin e tyre në tregjet rajonale dhe evropiane, por njëkohësisht edhe sfidat e brendshme në Kosovë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, e vlerësoi këtë trend si pozitiv, por theksoi se investimet do të duhej të orientoheshin më shumë brenda vendit. Sipas tij, Kosova renditet si investitori i tretë në Shqipëri, me qindra milionë euro investime dhe zgjerim në sektorë të ndryshëm.
Nga ana tjetër, ish-kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, paralajmëroi se përveç të rinjve, nga Kosova po largohen edhe bizneset dhe kapitali, duke përmendur mungesën e stabilitetit politik dhe klimën jo të favorshme për investime.
Përfaqësuesit e ekonomisë kërkojnë nga Qeveria hapa konkretë për përmirësimin e ambientit të biznesit dhe tërheqjen e investimeve, duke theksuar se pa zhvillim ekonomik dhe kapital vendor, rrezikohet perspektiva e vendit.




