Kombëtarja e Kosovës U19 (vajzat) e ka nisur në mënyrën më të mirë fushatën në Ligën B për kualifikimet e Kampionatit Evropian, duke shënuar fitore të thellë 6:0 ndaj Moldavia U19 (vajzat).
Vajzat dardane dominuan plotësisht ndeshjen, duke treguar organizim të lartë dhe efikasitet në fazën sulmuese. Serinë e golave e hapi Mirjeta Januzi në minutën e 14-të, ndërsa Anisa Meha dyfishoi epërsinë në minutën e 31-të.
Në pjesën e dytë, Kosova vazhdoi me ritëm të lartë. Meha realizoi edhe golin e saj të dytë në minutën e 60-të, ndërsa Januzi kompletoi dygolshin në minutën e 78-të. Në fund, rrjetën e tundën edhe Leonesa Lecaj (86’) dhe Adela Sinani (88’), duke vulosur rezultatin përfundimtar 6:0.
Kosova U19 ndeshjen e radhës do ta zhvillojë më 15 prill kundër Lituania U19 (vajzat), ndërsa më 18 prill përballet me Ishujt Faroe U19 (vajzat).




