Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se është ftuar të marrë pjesë si folëse në një konferencë të nivelit të lartë politik për ujin, e cila do të mbahet në Nju Jork në muajin korrik.
Sipas Pacollit, ftesa erdhi pas një takimi që ajo zhvilloi me Dr. Nabhit Kapur, Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm për Ujin dhe Kanalizimin në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Ajo bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për çështjet e menaxhimit të ujit, investimet në infrastrukturën ujore, si dhe prioritetet e qeverisë lidhur me ndërtimin e digave dhe liqeneve akumuluese.
Pacolli tha se nga kjo bisedë ka ardhur edhe ftesa zyrtare për pjesëmarrje në konferencë, ku pritet të trajtohen politikat dhe sfidat globale për menaxhimin e ujërave.




