Pas dekretit për shpërndarjen e Kuvendit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese që u dha deputetëve edhe disa javë afat shtesë për zgjedhjen e Presidentit, situata politike në vend mbetet e pasigurt.
Afati për zgjedhjen e kreut të shtetit po i afrohet fundit, ndërsa deri tani nuk është bërë publik ndonjë emër konkret për postin e Presidentit. Në rast të dështimit të zgjedhjes brenda afatit kushtetues, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Në këtë kontekst, për “Gazeta Blic”, U.D. i Presidentit të AKR-së, Vesel Makolli, ka deklaruar se nuk po vërehen sinjale pozitive nga Lëvizja Vetëvendosje për arritjen e një marrëveshjeje që do të zgjidhte ngërçin institucional.
Sipas tij, çdo vonesë apo kalkulim politik mund ta thellojë krizën dhe ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ai ka theksuar se vendi ka nevojë për vendimmarrje të përgjegjshme dhe jo për kalkulime afatshkurtra politike, duke shtuar se institucionet duhet të veprojnë në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.




